Qyteti i Beratit ndodhet në Shqipërinë Jug-Qëndrore , 120 km në jug të
Tiranës. Ai ka një popullsi prej rreth 64.000 banorë. Qendra Historike e
qytetit është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s
në 8 Korrik 2008 si ‘’ një shembull i rrallë i një karakteri arkitektural tipik i periudhës Otomane ‘’ .Berati është shpallur Qytet Muze në vitin 1961 nga Qeveria Shqiptare.
Qyteti
është ndër më të vjetrit në Shqipëri , fillimet e të cilit i gjejmë në
një vendbanim në formë fortese -Kalaja ,e cila ka ekzistuar që prej
shekullit IV para Krishtit me një jetë të pandërprerë deri në ditët e
sotme. Ai ka qenë vendbanim i fisit Ilir të Desaretëve ,të cilët ishin
të parët që ndërtuan fortifikimet në qytet . I njohur si Antipatrea
qyteti u pushtua prej romakëve në shekullin e II para Krishtit .Tit
Livius –një historian Romak i famshëm e përshkruan atë si ‘’…një qytet i
madh dhe i fortë ,i vendosur në një rrip toke të ngushtë e shkëmbor
‘’.Livius tregon për mizorinë e legjioneve Romake të cilat ‘’ … vranë të
gjithë njerëzit mbi 16 vjeç ,shkatërruan muret e qytetit dhe i vunë
zjarrin atij’’. Romakët e quajtën qytetin Albanorum Oppidum ( Kështjella Shqiptare ).
Gjatë periudhës Bizantine në shekullin e V qyteti njihet si Pulcheriopolis , nga Pulheria -emri i motrës së Perandorit Bizantin Teodos i cili pushtoi qytetin. Emri Pulcheriopolis
do të thoshte ‘’qytet i bukur, i pasur ,i fuqishem’’ dhe jo rastësisht
iu vu qytetit ; ai po bëhej një qendër kyçe me rritje të madhe
kulturore.
Në shekullin e VII filluan invazionet Bullgare ,të cilat zgjatën deri në vitin 1018 duke e quajtur Beratin si Belgrad – Qyteti i Bardhe .
Me rënien e Perandorisë Bizantine ,Berati u kthye në një nga qendrat
më të rëndësishme për autoritetet fetare të Epirit. Ai ishte rezidenca e
Mikele Angelo Komneno despoti i qendrës klerike të Epirit .Në hyrjen e
Kalasë në portën e saj jugore ,gjendet një monogram me gurë ; një kryq
me katër shkronja ku është shkruar : M.H.L.K. ky është emri i despotit: M
(i) .H (a) .L.K. (omneni) .
Në
shekullin e XIV ,qyteti u transformua në kryeqendrën e një principate
të madhe nën sundimin e familjes fisnike të Muzakajve .
Në vitin 1417 Berati u vu nën pushtimin Turk. Gjatë pushtimeve
otomane,ai mbeti një prej qyteteve më të mëdhenj të Shqipërisë. Deri në
fillimin e shekullit XX qyteti kishte një infrastrukturë solide, dhe
ishte nyje lidhëse drejt Lindjes dhe Kostandinopojës por gjithashtu edhe
në drejtim të Jugut për në Janinë –Greqi.
Qyteti është i njohur për trashëgimine e tij kulturore,arkitekturën
historike dhe bukurinë natyrore dhe njihet si ‘’qyteti i një mbi një
dritareve ‘’ për shkak të numrit të madh të dritareve të shtëpive të
vjetra që shikojnë mbi qytet.
Është një qytet i mrekullueshëm skenik me ndërtesa të bukura shumë
interesante nga pikëpamja arkitektonike dhe historike. Qyteti ka një
reliev malor dhe kodrinor me majat më të larta Malin e Tomorrit ( 2.416 m ) dhe Malin e Shpiragut ( 1.218 m) të cilët të kombinuar me luginën e Osumit krijojnë një peisazh të bukur në qytet .
Berati mbart dëshminë e bashkëjetesës së feve të ndryshme dhe
komuniteteve të shumta kulturore përgjatë shekujve. Pjesa e vjetër
historike përbëhet nga tre lagje të ndara nga lumi Osum : Kalaja ,Gorica
dhe Mangalemi. Qyteti ka gjithashtu Qendrën Mesjetare e cila përbëhet
nga monumente të vjetra fetare të sektit Bektashi dhe një xhami të shek.XV.
Kalaja përbën një nga pamjet më të mrekullueshme të qytetit . Ajo ka
ruajtur të pandryshuar planin e saj original të shekullit IV para
Krishtit. Me kalimin e kohërave ajo ka pësuar disa ndryshime gjatë
shekujve VI, VIII, XV dhe XIX .
Ajo nuk është vetëm një nga Kështjellat më të mëdha të banuara ,por
një arkiv në gurë ,e cila ofron një varietet stilesh dhe kontribute të
epokave të ndryshme : Romako-Bizantine, Shqiptare dhe Otomane.
Ndërtesat brenda Kalasë janë ndërtuar gjatë shekullit të XIII dhe për
shkak të arkitekturës së tyre karakteristike janë ruajtur si monumente
kulture. Kalaja ka shumë kisha Bizantine si dhe disa xhami të ndërtuara
gjatë epokës Otomane e cila filloi në vitin 1417 .
Kalaja e Goricës ka qënë një tjetër kala në qytet e cila i përket së
njëjtës periudhe ( IV para Krishtit ) , e pozicionuar në kodrën
përballë. Sot ekzistojnë vetëm rrënojat e kësaj kalaje.
Lagjet e vjetra të Mangalemit dhe Goricës pergjatë lumit , të lidhura
me njera-tjetrën me Urën e Goricës ,janë zona të ruajtura mirë me
ndërtesa me arkitekturë karakteristike me një numër të madh dritaresh ,
rrugica plot sharm dhe objekte religjioze.
Kodikët e Beratit
Kodiku i Purpurt i Beratit “ (i quajtur Beratinus)
, përmban ekstrakte nga Ungjijtë dhe është një ndër variantet më të
vjetër të përdorur për teksin e Testamentit të Ri. Në kohën që u
shkruajt në shekullin e VI-të, ai ishte një ndër pesë kodikët ekzistues
në gjithë botën. Kodiku i Arte përfaqëson kodikun e dytë më të
rëndësishëm të Beratit, është një dorëshkrim i shekullit te XIX-të.
UNESCO ka treguar një interes të madh për ruajtjen e kësaj trashëgimie
unike të literaturës së vjetër liturgjike të historisë botërore. Kodikët
e Beratit janë të përfshirë në Rregjistrin e Listës së Trashëgimisë
Botërore.
Vende interesante për t’u eksploruar në Rajon :
Parku Natyror i Malit të Tomorrit – është zona më e
madhe natyrore e mbrojtur dhe një vend për aktivitete rekreative.
Vizitorët në ambientet e këtij parku natyror do të gjejnë një larmi të
dhuratave të natyrës të gatshme për eksplorim dhe aktivitete të ndryshme
shplodhëse dhe argëtimi.
Ujëvara e Bogoves : Ujëvara e Bogoves ndodhet
në fshatin e Bogovës në një ngjitje të lehtë që kalon përgjatë bregut
të lumit dhe zgjat për rreth 45 minuta .Ujëvara e Bogovës është burimi
kryesor i furnizimit me ujë të pijshëm i Rajonit . E fshehur nën hijen e
freskët të pyllit në këmbët e Malit të Tomorrit ,ujëvara ofron një
strehë nga të nxehtët e verës në Rajon. Fshati i Bogovës është rreth 1
orë udhëtim me makinë nga Berati.
Kanionet e Çorovodës :
Kanionet e Çorovodës janë një provë e rëndësishme e historisë
gjeologjike në zonë. Çorovoda është rreth 1 orë e gjysëm udhëtim me
makinë nga Berati dhe kanionet të cilat janë kryesisht shtigje dhe vende
për aktivitete sportive dhe rekreative ndodhen disa çaste tej qytetit
te Çorovodës.
No comments:
Post a Comment